Thursday 25 July 2013

Si duhet ti qasemi pritjes së Ramazanit ?

artikuj
 

Si duhet ti qasemi pritjes së Ramazanit ?




Nga: Dr.Muhamed Arifi
A thua duhet që përgatitja jonë për ramazan të jetë duke blerë ushqime të shumta ? Apo duke marrë pushim nga puna në mënyrë që të kemi kohë për gjumë ? Apo duke e mbushur tryezën tonë me ushqime dhe ëmbëlsira të shumta ? Apo si duhet të përgatitemi për muajin e Ramazanit ??.
Obligim për besimtari është që të mos e tejkaloj kufirin dhe të mos e teproje gjatë sezoneve të ndryshme të adhurimeve por duhet që të jetë prej garuesve dhe prej triumfuesve të mirësive të këtyre sezoneve. E në lidhje me këtë thotë Allahu xh.sh:’’ E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën ‘’83: 26. Ndërsa i Dërguari s.a.v.s thotë:’’ Veproni vepra të mira të kohës suaj dhe shfaquni për frymët e Allahut xh.sh se me të vërtetë Allahu xh.sh ka disa frymë të mëshirës me të cilat e godet kë të dojë prej besimtarëve të Tij. Luteni Allahun xh.sh që të ua mbuloj mëkatet tuaja dhe të ua ruaj planet tuaja ‘’.
Pra si duhet që ta presim ramazanin ?
Ramazanin duhet ta presim me disa gjëra të ndryshme e prej tyre po veçojmë:
1- Lutjet që Allahu xh.sh të na e mundësojë arritjen e muajit të Ramazanit:
Në lidhje me këtë i Dërguari s.a.v.s thotë:’’ Lutja është vetë adhurimi ‘’, ndërsa gjeneratat e para luteshin që të ua mundësojë Allahu xh.sh që ta arrijnë muajin e Ramazanit e pas kalimit të tij luteshin që të ua pranojë atë. Ndërsa kur vërehej hëna e re e muajit të Ramazanit, i Dërguari s.a.v.s thoshte:’’ O Allah, na e sjell atë( ramazanin) me lehtësi dhe besim, me shëndet dhe islam dhe Zoti im dhe yti është Allahu ‘’.
2- Me falënderim dhe mirënjohje për ardhjen e tij:
Imam En-Neveviu, Allahu xh.sh e mëshiroftë, thotë: Dije mirë se nëse njeriut i vije ndonjë mirësi apo i largohet ndonjë ligësi që ti bie në sexhde Allahut xh.sh apo që ta falënderojë ashtu siç e meriton Allahu xh.sh.
Kujtoje se sa njerëz ishin duke u falur krah teje vitin e kaluar ndërsa sot ai është nën errësirën e dheut dhe pret ndonjë lutje të sinqertë. E sikur të kishim mundësi të i themi se dëshiro çfarë të duash ? Me siguri se do të thoshte: Vetëm një orë nga Ramazani ! Andaj bëhu ti në vend të tij dhe dëshiroje me tërë qenien tënde çdo orë të ramazanit sikur të ishte e fundit nga jeta jote.
3- Lumturia dhe gëzimi:
Është vërtetuar nga i Dërguari s.a.v.s se i përgëzonte shokët e tij kur vinte muaji i Ramazanit dhe thoshte:’’ Po ju vije juve muaji i Ramazanit, muaji i Ramazani është muaji i begatshëm. Allahu xh.sh ua obligoj juve agjërimin e tij dhe në të hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen ato të xhehenemit ‘’.
Ndërsa shokët e të Dërguarit s.a.v.s dhe pasuesit e tyre ishin shumë të kujdesshëm ndaj ardhjes së Ramazanit dhe gëzoheshin për ardhjen e tij. E çfarë gëzimi mund të jetë më i madh se gëzimi për afrimin e muajit të ramazanit, muajit të mëshirës dhe mirësive të mëdha.
Imagjino, sikur një shok shumë i dashur që nuk e ke takur për një vitë të tërë të vije tek ti për vizitë, a thua si do ta prisje ? E përgatitja për ramazan duhet të jetë edhe më e madhe andaj bëhu gati me vepra të mira për pritjen e tij.
4- Vendosmëria e sinqertë për shfrytëzimin e çdo çasti të Ramazanit:
Le të jemi të vendosur sinqerisht ndaj Allahut xh.sh se do ta shfrytëzojmë çdo çast të këtij muaji sepse ai që është i sinqertë me Allahun xh.sh atëherë do ta ketë ndihmën e Tij në realizimin e aspiratave. E në lidhje me këtë, Allahu xh.sh thotë:’’ E sikur të ishin të sinqertë ndaj Allahut xh.sh do të ishte më mirë për ta ‘’47: 21.
5- Njohuritë dhe dispozitat e Ramazanit:
Myslimani është i obliguar që ta adhuroj Allahun xh.sh në bazë të njohurive dhe nuk ka arsye për mos njohjen e obligimeve me të cilat e ka obliguar Allahu xh.sh. Në mesin e këtyre obligimeve është edhe Ramazani andaj edhe është detyrë e myslimanit që të mësojë dhe të i dije dispozitat e ndërlidhura me ramazanin dhe agjërimin në të para ardhjes së ramazanit në mënyrë që të mund të kryej agjërimin në formë të duhur dhe ta ketë agjërimin e pranuar. Në lidhje me këtë thotë Allahu xh.sh:’’ Dhe pyetni të zotit e dijës nëse nuk dini ‘’21: 7. E mos harro se njerëzit karshi dijes janë tre llojesh: Të diturit, nxënësit dhe injorantët ! E ti cilit lloj i takon ?.
6- Vendosmëria për tu penduar dhe për tu larguar nga mëkatet:
Në këtë muaj duhet që sinqerisht të jemi të vendosur se do të pendohemi me një pendim të sinqertë dhe se do të largohemi nga të gjitha mëkatet, punët e liga dhe veset e këqija sepse ky muaj është muaji i pendimit dhe mëshirës, e kush nuk pendohet në këtë muaj atëherë kur do të pendohet ?. Allahu xh.sh në lidhje me këtë thotë:’’ Dhe pendohuni tek Allahu të gjithë ju që keni besuar se ndoshta do të shpëtoni ‘’24: 31.
7- Përgatitja e mirë për të thirrur në rrugën e Allahut xh.sh:
E thirrja në rrugën e Allahut xh.sh mund të bëhet përmes këtyre gjërave:
a) Përgatitja e ndonjë këshille apo e ndonjë fjalimi të shkurtër në mënyrë që ta thuash bukur para njerëzve në xhamin e lagjes, në vendin e punës apo në shoqërinë tënde. Bëhu prej atyre që thirrjen e bazojnë në dije dhe njohuri e jo prej atyre që kanë marrë injorancën për udhërrëfyes.
b) Shpërndarja e disa fletushkave dhe libërthave që përmbajnë këshilla dhe rregulla rreth agjërimit.
c) Shpërndarja e ‘’ Dhuratës së Ramazanit ‘’ e që në të sipas mundësive mund të fusësh disa libra, kaseta, cd-ja etj, që përmbajnë gjëra të ndërlidhura me agjërimin por që të ketë mbishkrimin ‘’ Dhurata e Ramazanit ‘’.
d) Përkujtimi i të varfërve dhe skamnorëve si dhe përpjekja për ti ndihmuar ata.
8- Hapja e një faqe të re e të ndritur me Allahun xh.sh:
Le të hapim një faqe të re dhe të ndritur me Allahun xh.sh, e këtë më së miri e bëjmë duke filluar me një pendim të sinqertë. Thotë Allahu xh.sh:’’ Me të vërtetë Allahu xh.sh i donë ata që pendohen dhe i donë të pastërtitë ‘’2: 222, e po ashtu thotë:’’ O ju që keni besuar, pendohuni tek All-llahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t'i largojë prej jush të këqijat, t'ju shpie në xhennete nën të cilët rrjedhin lumenj ‘’66:8, pastaj thotë:’’ Pendim i pranueshëm te All-llahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije shpejt pendohen; të tillëve All-llahu ju pranon pendimin, se All-llahu është më i dijshmi, më i urti ‘’4:17. Ndërsa nga Katadeja r.a transmetohet se i Dërguari s.a.v.s ka thënë:’’ Kush thotë tri herë: Kërkojë falje nga Allahu xh.sh, nga Ai i cili nuk ka zot tjetër përveç Tij dhe i cili është i Gjalli dhe tek Ai pendohem. Do ti falën mëkatet edhe nëse prej tyre ecte zvarrë ‘’.
Le të hapim një faqe të re edhe me të Dërguarin s.a.v.s duke i praktikuar mësimet e tij dhe duke u larguar nga ndalesat që na i ka bërë.
Le të hapim një faqe të re edhe me prindërit tanë, me të afërmit tanë, me farefisin tonë, me gruan dhe fëmijët tanë.
Le të hapim një faqe të re me shoqërinë në të cilën jetojmë duke qenë besimtarë të denjë në atë shoqëri. Në lidhje me këtë thotë i Dërguari s.a.v.s:’’ Më i miri prej jush është më i dobishmi për shoqërinë‘’.
9- Sinqeriteti i plotë ndaj Allahut xh.sh në agjërim:
Allahu xh.sh në lidhje me këtë thotë:’’ E kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askënd "18:110. Sinqeriteti është shpirti i adhurimeve, çelësi i pranimit të veprave, shkaku kryesorë për ndihmën
e Allahut xh.sh. E varësisht prej shkallës së sinqeritetit dhe vullnetit për veprat e mira do të jetë edhe ndihma e Allahut xh.sh ndaj robërve të Tij.
10- Shpirt të pastër ndaj besimtarëve:
Duhet që të mos kemi zili ndaj besimtarëve dhe të e kemi shpirtin e pastër ndaj tyre sepse i Dërguari s.a.v.s thotë:’’ Allahu xh.sh i shikon të gjithë robërit e Tij në natën e mesit të muajit Shaban dhe i fal të gjithë ata përveç ziliqarëve ‘’.
11- Kujdesi ndaj veprave të mira:
Duhet që të kemi kujdes të shtuar ndaj veprave të mira dhe obligimeve fetare andaj edhe duhet që të mos lejojmë të na ik namazi në grup, të mos e harrojmë leximin e Kuranit, të mos e lemë namazin e natës, të mos i harrojmë lutjet në mënyrë që të mos na ikë asnjë minutë nga ramazani.
12- Vetë-llogaritja:
Njeriu duhet të ketë kujdes dhe të e llogaris vetën se a është duke i realizuar plotësisht përmbajtjen e dëshmisë se ‘’ Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut xh.sh ‘’, apo se është duke çaluar në kryerjen e obligimeve dhe ndalimin nga rënia në haram. Andaj edhe duhet që besimtari të e llogaris vetën në mënyrë që gjatë ramazanit të jetë në një shkallë më të lartë të besimit pasi që besimi shtohet me vepra të mira dhe ulët me veprat e këqija.
13- Zemër të pastër nga mosbesimi, shirku dhe risitë:
Allahu xh.sh thotë:’’ Atë ditë nuk të bënë dobi as malli e as fëmija përveç atyre që dalin para Zotit me zemër të pastër ‘’ 26: 88-89.
14- Dhënia e iftarit të tjerëve dhe sigurimi i agjërimit tënd:
I Dërguari s.a.v.s thotë:’’ Kush i jep iftar një agjëruese apo përgatit një ushtar për luftë do ta ketë shpërblimin sikur të tyre ‘’. E mos harro se prej veprave më të dashura tek Allahu xh.sh është gëzimi i besimtarit e ndërsa gëzimi i skamnorëve prej besimtarëve padyshim se është edhe më e dashur.

No comments:

Post a Comment