Pse itikafi bëhet në dhjetë netët e fundit ?

Pyetje: 
Pse i Dërguari i Allahut ka hyrë në itikaf në dhjetë netët e fundit të Ramazanit?
Përgjigje: 
Muaji i Ramazanit është muaji më me vlerë dhe netët i ka të bekuara me shumë shpërblime për adhuruesit e Allahut. Megjithatë në mesin e këtyre netëve është një natë që ka vlerë më të madhe dhe ajo është Nata e Kadrit, e kjo natë është në mesin e dhjetë netëve të fundit të Ramazanit. Kjo ka shkaktuar që Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem të hyjë në Itikaf, e të veçohet në xhami dhe në netët e fundit të bëjë ibadet dhe të jetë i sigurt që e ka takuar atë natë të madhe e të begatshme.
Aishja radijallahu anha ka thënë: Pejgamberi është veçuar (në xhami) në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit dhe ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit”. Buhariu. Me këtë dua të them, se kjo duhet të bëhet mësim për ata që mendojnë, se për çdo vit Nata e Kadrit është në natën e 27. Po të ishte kështu, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem do të hynte në Itikaf vetëm në natën e 27-ë.
Nga ana tjetër desha të theksoj edhe rastin, se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem një ditë ka dalë t’u tregojë sahabëve se kur është ajo natë, mirëpo ka gjetur dy veta duke u grindur në xhami për një borxh që kishin pasur mes tyre dhe i ngritën zërat e tyre në çastin kur Pejgamberi deshi ta japi atë lajm. Në këtë rast Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem u tha atyre, se kishte dalë t’u tregojë për Natën e Kadrit, por këta i ngritën zërat dhe Allahu ia largoi atë lajm nga mendja dhe pastaj iu tha kërkojeni (Natën e Kadrit) në netët 29, 27, 25, apo 23.
Meqë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë që Allahu ia ka larguar nga mendja se kur është saktësisht (Nata e Kadrit) atij si pejgamber, atëherë çfarë na mbetet neve të tjerëve?! Më e mirë është zgjedhja e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem; kush ka mundësi le të hyjë në Itikaf, e kush nuk ka mundësi, atëherë le të shtrëngohet për ibadet më tepër në ato net.